Postuar më: 26 Qershor 2018

Konferenca për shtyp e Ministrit Ditmir Bushati pas vendimit të Këshillit të BE-së

Mirëmbrëma të gjithëve!

Sot është një ditë e mirë për Shqipërinë, për fqinjin tonë Maqedoninë dhe natyrisht për të gjithë Evropën e bashkuar dhe të ardhmen e projektit evropian. Këshilli pak minuta më parë, ose thënë më shkoqur ministrat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian vendosën t’i përgjigjen pozitivisht rekomandimit të Komisionit Evropian për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Këshilli po ashtu ka përcaktuar qartë një afat kohor brenda së cilës do të zhvillohet i gjithë procesi përgatitor për tryezën e bisedimeve.

Këshilli i kërkoi KE-së të fillojë pa humbur kohë procesin përgatitor me Shqipërinë duke qenë se ka skicuar qartë rrugën drejt bisedimeve për anëtarësim dhe gjithashtu ka përcaktuar një afat kohor, qershorin e 2019-s për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Natyrisht kjo është një praktikë e njohur për Bashkimin Evropian i cili edhe në rastin e Serbisë, Malit të Zi, ka përcaktuar një afat kohor brenda së cilit ndodhi puna përgatitore nga momenti i marrjes së vendimit të Këshillit deri në momentin e nisjes së bisedimeve për anëtarësim.

Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn është shprehur shumë qartë sot pas punimeve të këtij Këshilli dhe gjithashtu presidenca e BE, në mbështetje të këtij procesi dhe ne besojmë se tanimë Shqipëria është në rrugën e pakthyeshme drejt procesit të anëtarësimit në BE. Diskutimet e këtyre ditëve në të gjitha nivelet, qoftë në nivele diplomatike dhe nivelin e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE dëshmuan një gjë të cilën kemi kohë që e themi dhe jemi dëshmitar njëkohësisht: kursi i reformave që ka ndërmarrë Shqipëria, sidomos nga momenti që mori statusin e vendit kandidat është një kurs reformash impresionues që natyrisht do të duhet të thellohet dhe më tej në ditët dhe muajt në vijim. Ne do të ulemi me Komisionin Evropian pa humbur kohë në procesin përgatitor në mënyrë që qershori i vitit të ardhshëm ta gjejë Shqipërinë në një pozicion sa më solid përsa i përket plotësimit të të gjitha detyrimeve që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Sot gjithashtu ishte një ditë e rëndësisshme siç e thashë në fillim dhe për vetë projektin evropian. Debatet e ditëve, javëve dhe muajve të fundit për vetë të ardhmen e projektit evropian kanë vendosur në pikëpyetje dhe vetë procesin e zgjerimit. 72 orët e fundit  kanë qenë orë të vështira ku na është dashur të komunikojmë me të gjitha nivelet vendimmarrëse, me kancelaritë, Elysse, Hagë, Bruksel për të komunikuar në detaje procesin e reformave dhe atë çka do të vijë më pas. Me këtë rast në emër të qeverisë shqiptare, popullit shqiptar dua të shpreh një falenderim të madh për komisionin Evropian, përfaqësuesen për politikë të jashtme Federika Mogherini, eurokomisionerin për zgjerimin Johannes Hahn, Presidentin e Komisionit Juncker, që në bashkëpunim me të gjitha shërbimet e Komisionit, ekspertizën teknike, delegacionin evropian në Shqipëri, nëpunësit civil shqiptar punuan dhe ia arritëm ditës që të kemi pas 9 viteve aplikim për anëtarësim në BE të parin rekomandim të pakushtëzuar, të drejtpërdrejtë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim.

Dëshiroj të falenderoj pa përjashtim të gjitha vendet anëtare duke nisur nga Presidenca e BE që e mbajtën çështjen e zgjerimit në axhendën e bisedimeve të BE, vendet anëtare të BE që njëzëri mbështetën kursin e reformave në Shqipëri, skicuan rrugën e pakthyeshme drejt negociatave pavarësisht debateve të brendshme në të cilat është përfshirë Evropa, pavarësisht vështirësive të cilat mirëkuptohen nga ana jonë, me të cilat ndeshen një pjesë e mirë e vendeve anëtare të BE, qoftë nga kriza migratore, zgjedhet në horizont, klima populiste që tenton të jetë mbizotëruese po që në fund triumfoi arsyeja dhe nevoja për të inkurajuar qartësisht procesin e reformave në Shqipëri, në rajon.

E fundit që kam për të thënë në lidhje me mesazhin që sot për sot morëm nga BE. Për fat të keq këto ditë një pjesë e mirë e politikës shqiptare, e medias, e lloj-lloj spekulantësh politik e mediatik kishin vendosur 28 qershorin si ditën e bastit të larjes së hesapeve me qeverinë dhe me Edi Ramën, a thua se procesi i integrimit evropian ka lidhje thjesht dhe vetëm me fatin e një qeverie dhe fatin e një kryeministri. Në fakt ky është një proces që ka lidhje me fatin e të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Dhe më vjen mirë që basti i këtyre spekulantëve politikë e mediatik nuk u përmbush dot sot. Bashkimi Evropian foli qartë në mbështetje të të gjitha reformave që janë ndërmarrë nga ana e Shqipërisë. Sot nuk është një ditë e gëzuar vetëm për qeverinë, institucionet, nëpunësit, armata e punonjësve që kanë qenë të përfshirë që nga momenti i parë deri në vendimin e sotëm në këtë proces, por ditë e gëzuar për gjithë popullin shqiptar dhe shpresoj që askush, pavarësisht bastit të gabuar që kishte vënë, nuk duhet të ndihet i përjashtuar nga kjo ditë dhe nga ky sukses i përbashkët. Faleminderit!

 

Pyetje: Zoti Bushati, a ka ndonjë ndryshim vendimi i ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian mes Maqedonisë dhe Shqipërisë? A ka një vendim ndryshe për Maqedoninë dhe një vendim ndryshe për Shqipërinë? Ose më qartë, nuk ka kushte për Maqedoninë dhe ka kushte për Shqipërinë?

Ministri Bushati: Faleminderit për pyetjen sepse dhe për këto çështje i kam ndjekur debatet  me vëmendje jashtëzakonisht të madhe gjatë gjithë këtyre ditëve në Shqipëri. Spekulime të ndryshme qoftë të aktorëve politikë, por dhe të njerëzve në media. Mund të them që dokumenti i miratuar sot nga ana e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, është i njëjtë si për Shqipërinë, ashtu edhe për  Maqedoninë. Në të dy rastet Këshilli vendos t’i përgjigjet pozitivisht rekomandimit të Komisionit Evropian bazuar në progresin që këto dy vende kanë ndërmarrë në procesin e reformave. Në të dyja rastet përcaktohet qershori i 2019 si momenti i nisjes së bisedimeve për anëtarësim apo hapjes së  bisedimeve për anëtarësim dhe në të dyja rastet, gjithashtu, përcaktohet kjo periudhë kohore ndërmjet qershorit të 2019 dhe qershorit të 2018 si një mundësi e Komisionit Evropian për të punuar së bashku me këto dy vende për të përmbyllur gjithë procesin përgatitor i cili më duhet t’u them, do të jetë një proces sfidues, i vështirë. Për herë të parë, administrata shqiptare do t’i ekspozohet një tematike dhe një procesi i cili, sjell jo vetëm të drejta, por dhe detyrime dhe në këtë kontekst, ne marrim shumë përgjëgjësi, si ne ashtu dhe Maqedonia për të vijuar me procesin e reformave. Në lidhje me ato që konsiderohen kushte mund t’u them që paketa e reformave, përsa i përket sundimit të së drejtës është krejt e njohur. Natyrisht që Bashkimi Evropian pret rezultate dhe më të thella në procesin e vetingut, apo vlerësimit të figurës së gjyqtarit e prokurorit. Besoj se i gjithë procesi i vetingut dhe reforma në drejtësi  ka qenë i koncentruar si pjesë e platformës tonë politike që kur ishim në opozitë. Nuk është dicka që e ka kërkuar Bashkimi Evropian, thellësinë e kësaj reforme e kemi përcaktuar vetë dhe tanimë është Bashkimi Evropian që merr këtë reformë si shembull dhe pret gjurmë provash dhe më të forta në këtë drejtim. Po kështu, zbatimi i  gjithë arkitekturës së re në fushën e drejtësisë, krijimi i institucioneve të specializuara që parashikon kjo reformë, janë në radhë të parë nevojë e jona si shoqëri dhe jo thjesht një kujtesë që Bashkimi Evropian e vendos në rekomandimet  e tij apo konkluzionet e tij për Shqipërinë.
E njëjta gjë mund të thuhet me nevojën për ta intensifikuar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe në të dy rastet, me përjashtim të nuancave që kanë lidhje me veçoritë specifike të secilit vend, Shqipërisë apo Maqedonisë, gjuha është e njëjtë, afatet janë të njëjta, metodologjia, instrumentat që ofrohen janë të njëjtë dhe kriteret apo  kushtëzimet pak a shumë janë ato që lidhen me fushën e sundimit të së drejtës. Një fjalë të fundit dua të them për pyetjen që më bëni dhe përfitoj nga mundësia që më dhatë. I gjithë procesi i anëtarësimit të një vendi në Bashkimin Evropian motivohet apo është i strukturuar nga logjika e kushtëzimit demokratik. Sa më shumë përparon vendi, aq më të mëdha bëhen kërkesat e qytetarëve, shoqërisë për një performancë më të mirë të institucioneve dhe nga ana tjetër, aq më të mëdha janë kërkesat e Bashkimit Evropian. E thashë pak më parë që vetë Bashkimi Evropian është në një moment përcaktues. Mund t’ju them që po sot, pjesë e agjendës së diskutimeve të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë qenë procedurat disipilinore ndaj një vendi anëtar të Bashkimit Evropian që sipas Komisionit Evropian, mendohet që ka bërë hapa pas në procesin e demokratizimit, në procesin e  reformave që kanë të bëjnë me sundimin e së drejtës, reformën në drejtësi dhe është kjo është arsyeja që gjithnjë e më tepër, Bashkimi Evropian dhe ne duhet të mësohemi me këtë logjikë, do të jetë kërkues dhe do të jetë këmbëngulës për standarde sa më të larta të mundshme në këtë fushë.

Pyetje: Zoti Bushati, ish-kryemistri Sali Berisha ka deklaruar sot se negociatat nuk do të hapen në 2019 dhe tashmë vendimi është marrë. Në fakt, s’ka zhvillime të orëve të fundit dhe si qëndron? 

Ministri Bushati: Mendoj se është mirë mos ta bëjmë pis këtë ditë të gëzueshme për gjithë Shqipërinë dhe shqiptarët. E thashë, e kam ndjekur debatin për shkak të funksionit dhe përgjegjësisë që më është besuar së bashku me Kryeministrin, por dhe kolegë të tjerë, qoftë ministra, deputetë. Kemi qenë në frontin e parë të betejës për një komunikim sa më intensiv me të gjitha vendet anëtare. Mund t’u them që gjatë gjithë kësaj periudhe më është dukur vetja sikur jetoj në dy realiteteve të ndryshme, një diskutim brenda vendeve të BE-së, i cili ka qenë i vështirë për shkak të rrethanave specifike në të cilat ndeshet Bashkimi Evropian për shkak të projekteve të ndryshme që janë sot e gjithë ditën në diskutim, kjo çështje mund të ketë qenë një nga 20 çështjet që janë diskutuar nga ana e vendeve të Bashkimit Evropian. Kujtoj që reforma për eurozonën është sot për sot çështja themelore që mban gjallë debatin e diskutimet mes Francës dhe Gjermanisë. Kriza e refugjatëve që ka sjellë koalicione fluide nga më të ndryshmet, brenda vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, Brexit, apo divorcin me Mbretërinë e Bashkuar, konseguencat ligjore, tregtare, financiare, politike, dhe diku në këtë gamë çështjesh është diskutuar gjatë gjithë kësaj peridhë dhe për procesin e zgjerimit. Ka pasur disa spekulime trashanike dhe fatkeqe në këtë proces. Për ta filluar me Lulzim Bashën i cili për fat të keq, ka qenë ministër i Jashtëm dhe duket që gjatë periudhës që ka qenë në këtë institucion nuk ka mësuar dot as ABC-në e këtij procesi kur doli dhe deklaroi që Bundestagu ka vendosur kushte shtesë për Shqipërinë por jo Maqedoninë. Një mashtrim i cili u verifikua si i tillë po që nuk u pasua me ndjesë nga ana e kryetarit  të Partisë Demokratike. Më pas u tha që Gjermania ka vendosur kushte dhe është kundër nisjes së bisedimeve për anëtarësim e sot e gjithë ditën mediat kanë transmetuar pa pushim deklaratat e ministrit gjerman nga tryeza e bisedimeve në Luksemburg i cili  shprehej qartë që qëndrimi Gjermanisë është në mbështetje të fillimit të negociatave dhe po punon edhe me ato vende që kanë ende vështirësi për të shkuar drejt këtij vendimi. Më pas kanë qenë deklaratat e kolegëve të tjerë ministra  të cilët e kanë bërë të qartë që ka një maxhorancë super absolute brenda radhëve të Bashkimit Evropian, në mbështetje të negociatave. Por, siç e thashë, ka kohë që opozita në një situatë të dëshpëruar ka vendosur gabimisht një bast duke i lidhur negociatat me fatin e Kryeministrit dhe me fatin e qeverisë. Përgjigja sot ka ardhur një zëri nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Konfirmim i përpjekjeve tona të përbashkëta, që në fakt buron nga mbështetja popullore që ne kemi marrë për këtë proces. I vetmi apel që kam sot për Partinë Demokratike dhe për aleaten e saj është i thjeshtë: Para nesh është një proces i cili  tanimë është i pakthyeshëm. Standardet në këtë proces janë të qarta. Bashkimi Evropian, ka aplikuar të njëjtën metodologji, të nëjtin mesazh politik, të nëjtën  vendimmarrjen, të njëjtat instrumenta si për Shqipërinë dhe Maqedoninë siç ka bërë në rastin e  Malit të Zi dhe Serbisë para pak vitesh. Tani është koha të përqëndrohemi, t’i japim mbështetje këtij procesi të nxjerim mësime nga këto gabime trashanike se në fakt, nuk janë as  lajme të sajuara por janë thjesht gabime trashanike, janë qëndrime keqdashëse do të thoja, të opozitës për këtë proces dhe në fakt, nuk e di pse në një mënyrë a një tjetër, i heqin mundësinë vetes edhe për të qenë pjesë e këtij suksesi. Sepse e kam thënë thjesht, si në negociatat me Greqinë, gur gur bëhet kalaja dhe në këtë proces, të njëjtën filozofi kemi ndjekur qoftë më Komisionin Evropian, qoftë me vendet anëtare. Mos të harrojmë 2016-ën. Kjo forcë politike që sot ka timonin e vendit mori një risk shumë të madh përpara për të cuar me vendosmëri reformën e drejtësisë në Kuvend, për të ndryshuar Kushtetutën, për të ndryshuar arkitekturën e drejtësisë dhe për t’i hapur rrugë ndryshimeve radikale në strukturën e funksionimit të institucioneve shtetërore. Ky është procesi i integrimit evropian, ka të bëjë me transformimin, ka të bëjë evolucionin. Duket që i vetmi përjashtim nga ky rregull, njerëzor, politik, institucional është Sali Berisha.

Faleminderit!.