Postuar më: 07 Shkurt 2021

INTERVISTA E MINISTRES PËR EVROPËN DHE PUNËT E JASHTME, OLTA XHAÇKA, PËR TV KLAN

Pyetje: Znj. Xhaçka cilat janë prioritetet tuaja, në krye të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme?

Përgjigje: Është një kohë shumë sfiduese me një axhendë goxha sfiduese, me objektiva ambicioz afatshkurtër dhe afatmesëm. Prioritetet tona nisin me integrimin. Ne presim që në 6-mujorin e parë të vitit të miratohet korniza e parë negociuese për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe të vendoset data për Konferencën e Parë Ndërqeveritare.
Pa diskutim, që një nga prioritetet kryesore shumë të rëndësishme është edhe kandidatura e Shqipërisë për një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombet e Bashkuara. Kjo është tryeza vendimmarrëse më e rëndësishme e botës dhe është një mundësi e jashtëzakonshme për vendin tonë, për pjekurinë e diplomacisë tonë, për të marrë drejtimin në një tryezë të tillë por edhe sepse do të na japi mundësinë, mbas kryesimit shumë të suksesshëm të OSBE-së dhe eksperiencës që kemi fituar prej saj. Do të bashkëveprojmë me aleatët tanë shumë të rëndësishëm dhe strategjik në atë tryezë kaq të rëndësishme, ku diskutohen çështjet e një rëndësie të veçantë dhe ku mund të shtyhen çështje, të cilat janë edhe prioritare për vendin tone, siç janë ato të bashkëjetesës fetare, grave apo paqes dhe sigurisë.

Prioritet tjetër i rëndësishëm është edhe shtyrja më tej e punës së mirë të bërë për diplomacinë ekonomike, e cila është kushtëzuar mjaftueshëm nga pandemia. Unë synoj që t’i jap një impuls të ri edhe për vetë rëndësinë që ka për investimet dhe për zhvillimin social-ekonomik.

Në ditën time të parë të punës si Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme, kam nënvizuar se një nga prioritete gjatë drejtimit të këtij dikasteri është edhe reformimi i shërbimit diplomatik. Është ngritur një grup me disa nga ambasadorët apo diplomatët më me eksperiencë dhe po shohim kush janë pikat e forta të shërbimit tonë diplomatik, që është dhe thembra e Akilit e diplomacisë tonë, për t’i shtyrë përpara apo për t’i nënvizuar dhe pastaj kush janë dobësitë ato pikat e dobëta, për të cilat duhet bashkërisht të punojmë, për t’i përmirësuar si në aspektin administrativ, ashtu edhe në atë ligjor.

Pyetje: Është vendimmarrja krejtësisht e vendeve anëtarë sa i takon datës për Konferencën e Parë Ndërqeveritare, përsa i përket Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Nga komunikimet që keni pasur deri tani, sa e mundur është realisht që ajo të mbahet deri në qershor?

Përgjigje: Mendoj që është plotësisht e mundur, madje kemi pasur disa bashkëbisedime shumë pozitive edhe me Komisionerin për zgjerimin Varhelyi, por edhe me Ministrin e Jashtëm Portugez, vendi i të cilit mban Presidencën e Këshillit deri në 30 qershor. Portugalia pritet të jetë vendi i cili do të miratojë, apo të shtyjë përpara këtë proces dhe të miratojë kornizën negociuese për vendet tona dhe pastaj do të vendosë datën për Konferencën e Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE.

Siç theksoi edhe homologu im portugez, ky nuk është vetëm vendim i merituar për Shqipërinë, për shkak të reformave të ndërmarra që po ecin nën drejtimin e duhur dhe të kushteve të plotësuara, por është një çështje edhe e kredibilitetit të BE. Prandaj sipas fjalëve të tyre, sipas mbështetjes edhe konfirmimit që kemi marrë edhe nga partnerët e tjerë, pra anëtarë të BE, deri tani për të gjitha arritjet dhe kushtet e plotësuara ne presim që korniza negociuese edhe Konferenca e Parë Ndërqeveritare të bëhen brenda 6-mujorit të parë të këtij viti.

Pyetje: Kandidatura për në Këshillin e Sigurimit është sfidues jo vetëm sepse kemi një proces zgjedhor në 25 qershor, por edhe për faktin se do kërkohet vota e anëtarëve të OKB. A është problem vota e Rusisë dhe a mund të jetë kjo një hakmarrje e rusëve për atë çfarë ndodhi dy javë më parë, duke votuar kundër?

Përgjigje: Përgjegjësia për një vend në Këshillin e Sigurimit për vitin 2022-2023 është një prioritet absolut i vendit tonë dhe kjo nuk ka lidhje me cilëndo parti politike që do të jetë në pushtet pas 25 qershorit. Siç thashë, është një privilegj i jashtëzakonshëm, pas 65 vitesh anëtarësim në Kombet e Bashkuara, që Shqipëria më në fund mund ta ketë një mundësi të tillë. Dhe vlen të thuhet, që të gjitha premisat janë që nga gjysma e dytë e këtij viti Shqipëria do të jetë pjesë e Këshillit të Sigurimit.

Ne nuk presim që të na duartrokasin, apo të na votojnë 193 vendet që janë pjesë e Kombeve të Bashkuara, por pa diskutim mendojmë që Shqipëria e meriton dhe do të mbështetet, edhe për rolin që ajo ka luajtur edhe për kontributin që ajo ka dhënë për paqen dhe sigurinë.

Ne e mendojmë kandidaturën si një mundësi të jashtëzakonshme dhe ne jemi duke punuar ngushtësisht, edhe me ekspertët tanë por edhe me ekspertë ndërkombëtare, që Shqipëria të paraqitet me një kartëvizitë shumë dinjitoze, duke filluar nga një broshura, kapitujt e të cilës do të tregojnë se cilat janë principet udhërrëfyese të politikës tonë të jashtme, cilat janë vlerat që ne mbrojmë, cili është kontributi që Shqipëria ka dhënë për multilateralizimin edhe për paqen dhe sigurinë dhe bashkë me këto, bashkë me broshurën do të kemi logo, slogan do të kemi shumëçka, për ta prezantuar Shqipërinë sa më denjësisht.

Pyetje: A po përgatitet Ministria e Jashtme për t’ju drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare për çështjen e detit?

Përgjigje: Ka pasur, siç dihet, një negociatë të gjatë. Ka pasur bisedime për çështjen e detit me fqinjin tonë, sigurisht nuk kanë konkluduar, sepse nuk është rënë dakord për disa çështje dhe kjo është arsyeja pse të dyja palët kanë vendosur që çështjen ta çojnë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, për të gjitha ato pika të mosmarrëveshjeve tona. Bashkë me ekspertët vendas edhe me ekspertët më të mirë ndërkombëtarë të të drejtës së detit, po përgatitemi për ta përfaqësuar sa më denjësisht çështjen në gjykatë edhe për ta mbrojtur interesin e Shqipërisë në mënyrën më të mirë të mundshme. Nuk mund t’ju them për momentin se kur do të jetë momenti kur do të biem dakord në fakt edhe me fqinjën, sepse në gjykatë shkohet duke pasur dakordësi mbi ato pikat e padakordësisë, të cilat do i ndajë gjykata. Por di të them, që jemi në një fazë shumë intensive përgatitjeje, që përfaqësimi të jetë sa më dinjitoz kur të vijë ai moment.