Postuar më: 29 Dhjetor 2020

Shqipëri-Zvicër, kremtohet në MEPJ 50 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, në bashkëpunim me Ambasadën zvicerane në Tiranë, organizuan sot Konferencën Shkencore me temë: “50 vjet marrëdhënie diplomatike Shqipëri- Zvicër.

Në Konferencë, morrën pjesë Ambasadori i Zvicrës në Tiranë, Adrian Maitre, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, përfaqësues nga fusha të politikës, historisë, diplomacisë, artit, kulturës, besimeve fetare, etj.

Në emër të së Ministrit në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, i cili ndodhej për një vizitë pune në Berlin, aktiviteti u përshëndet nga Zv. ministri, Sokol Dedja.

“Ky kremtim, sipas zv. ministrit Dedja, është shenjë e rëndësisë që ka ky përvjetor për të dy vendet dhe gjithashtu dëshmon lidhjet e hershme mes popujve tanë, bazuar në histori njerëzore e dokumente arkivore, të cilat shkojnë përtej këtij gjysmëshekulli. Ai vjen si një moment reflektimi për atë që është arritur dhe për vijimësinë e bashkëpunimit në të ardhmen”. Dedja, gjithashtu falënderoi Zvicrën që qëndroi përkrah Shqipërisë në momente të vështira për të përballuar pasojat e rënda të tërmetit e pandemisë, duke ofruar kontribute mjaft bujare.

Në fjalën përshëndetëse, Ministri i Jashtëm i Zvicrës, Ignazzio Cassis, përmes videos, bëri një ekspoze të marrdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve në disa fusha. Ai pohoi se Zvicra do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit evropian. “Në këtë përvjetor, u shpreh Cassis, uroj të vazhdojmë e të rrisim bashkëpunimin mes dy vendeve”.

Ambasadori Zviceran në Shqipëri, Ardian Maitre, duke u bazuar në historikun e marrëdhënieve mes dy vendeve u shpreh se, “50 vjet më parë dy vendet tona firmosën marrëdhënie formale diplomatike dy-palëshe. Kjo ndodhi pavarësisht Perdes së Hekurt dhe Luftës së Ftohtë të asaj kohe, pavarësisht sistemeve të ndryshme politike. Kjo ishte një arritje e madhe. Në 50 vitet që pasuan, dy vendet tona kanë intensifikuar shkëmbimet. Ato janë afruar dhe bashkëpunojnë ngushtë”.

Drejtoresha e Arkivit Historik ne MPEJ, Prof. Assoc. Pranvera Dibra, dhe historiania nga Universiteti i Bernes, Dr. Zaugg, nga perspektiva e dy vendeve, bënë një prezantim të hollësishëm të rrugëtimit historik të marrëdhënieve diplomatike 50 vjeçare.

Me tej, panelistët pjesëmarrës në Konferencë e pasuruan këtë aktivitet të rëndësishëm me kujtimet dhe hulumtimet e tyre mbi gjurmët historike, diplomatike dhe njerëzore mes dy vendeve.
Ambasadori i parë i Shqipërisë në Zvicër pas rënies së komunizmit, Gazmend Turdiu, ndau kujtimet dhe përshtypjet e tij nga periudha e shërbimit diplomatik ne Zvicër.

Aktiviteti u mbyll nga Drejtoresha e Përgjithshme e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Mimoza Halimi, e cila vuri theksin në tre dimensionet kryesore të bashkëpunimit me Zvicrën, bashkepunimi bilateral, rajonal dhe multilateral. “Ajo ç’ka spikat në përqasjen e Zvicrës ndaj vendit tonë, nënvizoi znj.Halimi, është asistenca e vazhdueshme e saj, e materializuar në Dokumente Strategjike dhe projekte të mirë-orientuara, që jo vetëm forcojnë partneritetin mes vendeve tona, por dhe ndihmojnë në realizimin e agjendës së reformave të qeverisë shqiptare dhe rrugës drejt integrimit në Bashkimin Europian.

Konferenca u shoqërua me një ekspozitë me materiale arkivore, historike dhe fotografike, të cilat dokumentojnë marrëdhëniet e hershme miqësore, ekonomike dhe njerëzore mes dy vendeve dhe popujve.