Shqipëria në IACA
Akademia Ndërkombëtare për Anti Korrupsionin (IACA) është një organizatë e re ndërkombëtare me bazë në Laksenburg të Austrisë. Ky është institucioni i parë global i këtij lloji, që punon për tejkalimin e mangësive, në njohuri dhe praktikë, në fushën e anti-korrupsionit dhe për fuqizimin e profesionistëve të fushës për tu përballur me sfidat e së nesërmes. Akademia përqafon një qasje të re arsimore dhe kërkimore në fushën e anti-korrupsionit. Ajo ofron kurse të posaçme për profesionistë të fushës, programe akademike dhe ofron mbështetje teknike për një shumëllojshmërie të gjerë aktorësh. Me nismën e UNODC, Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), Republikës së Austrisë dhe aktorëve të tjerë, ajo u shndërrua në organizatë ndërkombëtare më 8 mars 2011. Deri më sot, në të janë anëtarësuar 64 shteteve dhe tre organizata ndërkombëtare. Shqipëria e ka nënshkruar marrëveshjen përkatëse më 20 shtator 2010 dhe e ka ratifikuar atë më datë 21 shtator 2011. Qeveria e Shqipërisë është e interesuar që të përfitojë sa më shumë nga përvoja e dhe mbështetja teknike e IACA.
Shqipëria në ANEA
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) u krijua në 29 Korrik 1957. Shqipëria është anëtare e saj që prej fillimit. ANEA ka tre organizma kryesore: Bordin e Guvernatorëve, Konferencën e Përgjithshme dhe Sekretariatin. Bordi i Guvernatorëve ka gjithsej 35 shtete anëtare, nga të cilat 10 janë të përhershëm (shtetet më të avancuara në teknologjinë bërthamore). Të tjerët zgjidhen nga Konferenca e Përgjithshme (KP) çdo dy vjet sipas kritereve gjeografike. Republika e Shqipërisë ushtroi mandatin e anëtarit të Bordit të Guvernatorëve të ANEA-s për periudhën dyvjeçare shtator 2007-shtator 2009. ANEA ka tre drejtime kryesore në veprimtarinë e saj:
• Mbrojtja nga rrezatimi e siguria e materialeve e impianteve bërthamore
• Shkenca e teknologjia bërthamore
• Inspektim-verifikimi bërthamor
Në vitin 2004 ANEA krijoi Programin për terapinë e kancerit që ndihmon shtetet për të ushtruar, zgjeruar e përmirësuar radioterapinë kundër kancerit.
Bashkëpunimi i Shqipërisë me ANEA-n ka qenë i rëndësishëm dhe i suksesshëm. Prioritetet e Shqipërisë lidhen kryesisht me përdorimet e teknologjisë bërthamore në mjekësi për diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve të ndryshme dhe mjekimin me rreze të kancerit, në mbrojtjen nga rrezatimi të punonjësve, pacientëve e mjedisit, të kontrollit e ndalimit të trafikut ilegal të lëndëve radioaktive e bërthamore. Shqipëria dhe ANEA kanë hartuar Programin kuadër kombëtar, i cili përbën strategjinë 6 vjeçare të bashkëpunimit teknik për periudhën 2012-2017, në fushën e mjekësisë, bujqësisë, mjedisit, dhe mbrojtjes e sigurisë bërthamore. Bashkëpunimi teknik me ANEA-n për ciklin 2012-2013 realizohet në tre projekte kombëtare dhe 23 projekte rajonale me vlerë të përgjithshme mbi 1 milion Euro. Për ciklin e ri 2014-2015 Shqipëria do të përfitojë projekte me vlerë mbi 2 milionë Euro, me prioritet në fushën e mjekësisë, diagnostikimit e radioterapisë, si dhe atë të monitorimit të kufijve për trafikun ilegal të materialeve radioaktive e bërthamore. Shqipëria ka ratifikuar të gjitha konventat ndërkombëtare të rekomanduara nga ANEA.
Në zbatim të drejtimit të Inspektim-Verifikimit Bërthamor, Agjencia trajton çështje/dosje të rëndësishme të zhvillimeve politike globale, siç janë ato të Iranit, Sirisë dhe RPDK.
Shqipëria në CTBTO
Organizata e Traktatit për Ndalimin Gjithëpërfshirës të Provave Bërthamore (CTBTO) nuk është krijuar ende pasi traktati përkatës nuk ёshtё ratifikuar ende nga të shtetet e përcaktuara si fuqi bërthamore dhe me potencial për t’u bërë të tilla. Në pritje të përfundimit të procesit, në Vjenë funksionon përkohësisht Komisioni Përgatitor i CTBTO-së dhe Sekretariati Teknik i Përkohshëm, qё ndihmon Komisionin pёr tё zbatuar detyrat e tij. Komisioni Përgatitor u krijua në vitin 1996 dhe Shqipëria është anëtare e tij që prej atij viti. Shqipëria ka ratifikuar Traktatin në vitin 2003 dhe i bashkohet thirrjeve të Bashkësisë Ndërkombëtare për hyrjen në fuqi sa më parë të tij. Instituti i Gjeoshkencave në Universitetin Politeknik të Tiranës bashkëpunon me CTBTO-n në Projektin e Aftësimit të Qendrës Kombëtare të të Dhënave.
Shqipëria në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë
Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë bashkon vendet që kanë të përbashkët gjuhën dhe kulturën frënge. Ajo përbëhet nga 77 vende anëtare apo vëzhguese.
ONF-ja ka si synim të kontribuojë në përmirësimin e jetës së popujve duke i ndihmuar që të kthehen në aktorë të zhvillimit të tyre. Ajo u jep vendeve anëtare mbështetje në përpunimin dhe konsolidimin e politikave dhe zhvillon aksionin e saj të politikës ndërkombëtare dhe bashkëpunimit shumëpalësh, në përputhje me 4 misionet e mëdha:
Një vëmendje e veçantë i kushtohet të rinjve dhe grave, si dhe aksesit në teknologjitë e informacionit dhe komunikimit në të gjitha aksionet e ONF-së.
ONF-ja është themeluar në vitin 1997, në fillim me emrin Agjencia Ndërqeveritare e Frankofonisë. Ajo ka pasur Agjencinë e bashkëpunimit Kulturor dhe Teknik, të krijuar më 1970.
Shqipëria është anëtarësuar në ONF-në në vitin 1997, me statusin e vëzhguesit dhe në vitin 1999 është pranuar si anëtare me të drejta të plota.
Shqipëria në UNAOC
Aleanca e Qytetërimeve e Kombeve të Bashkuara (UNAOC) është një nismë e propozuar nga Kryeministri i atëhershëm spanoll, Jose Luis rodriguez Zapatero, në sesionin e 59të të Asamblesë së përgjithshme të Kombeve të bashkuara në vitin 2005, me mbështetjen e Kryeministrit turk Recep Tayyip Erdogan. Kjo nismë synon të nxisë aksonin ndërkombëtar kundër ekstremizmit nëpërmjet forcimit të dialogut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, ndërkulturor dhe ndërfetar. Aleanca i kushton një vëmendje të veçantë shkrirjes së tensioneve mes Perëndimit dhe botës islamike.
Media, rinia, arsimi, emigracioni dhe integrimi janë fushat kryesore ku përqendrohet aktiviteti i saj.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme
Adresa: Bulevardi ‘Gjergj Fishta’, Nr 6. Tiranë
Për informacione konsullore, probleme të qytetarëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, kontaktoni në:
Tel: +355 (0) 42340358
Mund të kontaktoni:
E Hënë – E Enjte 08.00 – 16.30
E Premte 08.00 – 14.00
E-mail: DK@mfa.gov.al