Historia e diplomacisë shqiptare!
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme sjell për publikun një rubrikë të re me titull: “Historia e diplomacisë shqiptare”. Kjo rubrikë synon t’i ofrojë publikut informacion të plotë për pasuritë arkivore historike të diplomacisë shqiptare. Plot 6 milion dokumente të cilat paraqesin dëshmi arkivore mbi ngjarje e figura të caktuara, të cilat lanë gjurmë në politikën e jashtme duke vendosur standarde në rrugëtimin diplomatik të shtetit shqiptar do të publikohen online për të gjithë ata qe janë te interesuar. Kjo rubrikë do të pasurohet çdo javë me informacione dhe dokumente të reja dhe synon të nxisë interesin dhe kuriozitetin publik mbi pasuritë tona arkivore.
OKB dhe të drejtat e njeriut në Shqipëri para ndryshimeve demokratike të viteve ’90-të
Prania e Shqipërisë komuniste në OKB, do të shfrytëzohej nga organet e saj politike si Komisioni i të Drejtave të Njeriu (deri në vitin 2006 e më pas Këshilli i të Drejtave të Njeriut), me seli në Gjenevë, organizatat e ndryshme të të drejtave të njeriut kryesuar nga Amnesty International që kishte marrëdhënie konsultative me Kombet e Bashkuara (ECOSOC), apo edhe emigracioni politik shqiptar, për t’i bërë apel dhe presion qeverisë shqiptare, për ndaljen e persekutimeve politike dhe mohimit të të drejtave bazë të njeriut në Shqipëri. Kjo fushatë mori më tepër zë në fillim të viteve 80-të, kur Shqipëria nuk mori pjesë as në Konferencën për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, Helsinki, 1978. Pranë KDNJ-së filluan të depozitohen kërkesë-ankesat e para të organizatave politike shqiptare në mërgim në Evropë, për mohim të të drejtave civile, politike, sociale, ekonomike, kulturore e fetare në Shqipëri, dhe kërkohej ndërhyrja e menjëhershme e OKB-së, siç ishte bërë në vendet e tjera, për të ushtruar presion mbi qeverinë shqiptare për marrjen e masave që ndalonin mohimin e të drejtave humane dhe lirive themelore të njeriut në Shqipëri, të formuluara në Kartën e OKB-së dhe Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, ku Shqipëria, si anëtare e OKB-së, ishte firmëtare.
Të tilla kërkesa, KDNJ nuk i kaloi në heshtje, por sipas rezolutave të ECOSOC ia komunikonte zyrtarisht qeverisë shqiptare, e cila ose nuk u përgjigjej, ose i mohonte si pretendime të pavërteta dhe i konsideronte si ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë.
Pas vdekjes së diktatorit Hoxha, presioni mbi qeverinë shqiptare u intensifikua. Përveç të tjerave, në dhjetor 1985, në selinë e ambasadës italiane në Tiranë kishin kërkuar për herë të parë azil politik 6 anëtarë të familjes Popa, të përndjekur politikisht nga regjimi. Në qershor 1986, KDNJ mori vendim që të apelonte edhe njëherë qeverinë shqiptare, që të shtrinte bashkëpunimin e saj me Komisionin në zbatim të rezolutës nr.1503 të ECOSOC, e cila kërkonte mbajtjen e Shqipërisë nën vëzhgim për situatën e të drejtave të njeriut në vend, duke e furnizuar Komisionin me observacione të shkruara, ndërkohë që Komisioni do të ruante konfidencialitetin e raportimeve të qeverisë shqiptare. KDNJ i kërkonte qeverisë shqiptare që të pranonte ftesën e tij për t’u përfaqësuar në takimet e mbyllura të Komisionit për këto çështje, ku merrnin pjesë edhe dëshmitarë nga grupet apo organizatat që ngrinin akuzat ndaj saj. Ata filluan të përdorin termin “të burgosur të ndërgjegjes” për të dënuarit shqiptarë për shprehjen e lirë të fjalës, mendimit e besimit dhe kërkonin investigim nga qeveria shqiptare për kushtet në kampet e punës së detyruar. Për herë të parë, në 1986, ky vendim u hodh në votim. Votuan 28 shtete anëtare pro, 2 kundër dhe 11 abstenime.
Që nga ai vit, vendimet e KDNJ-së dhe ECOSOC-ut për situatën e të drejtave të njeriut në Shqipëri filluan të votoheshin. Qeveria shqiptare vazhdonte të tregonte mungesë bashkëpunimi me Komisionin e të Drejtave të Njeriut, duke e konsideruar çështjen një problem të brendshëm dhe përpiqej të lobonte tek anëtarët e KDNJ për mosmiratimin e vendimeve të atij Komisioni për Shqipërinë.
Në 1989, në sesionin e 45-të të KDNJ-së u rishqyrtua çështja dhe Shqipëria u këshillua që të merrte pjesë të paktën si vëzhguese në takimet e Komisionit. Në mungesë të pjesëmarrjes së saj për t’u përballur me akuzat, qeveria komuniste shpërndau materiale zyrtare tek anëtarët e KDNJ-së për situatën e të drejtave të shtetasve në Shqipëri, duke mohuar çdo akuzë të bërë. Në këtë sesion përveç përfaqësuesve të organizmave ndërkombëtar për mbrojtjen e të drejtave, foli edhe ambasadori i SHBA-ve në OKB, Ministri i Jashtëm i Spanjës në emër të Komunitetit Evropian, përfaqësuesi i Suedisë, RFGJ-së, Portugalisë dhe Belgjikës. Grupi Perëndimor doli me një projekt-rezolutë për Shqipërinë, të prezantuar nga Portugalia. Projekt-rezoluta akuzonte Shqipërinë për mosbashkëpunim, në kundërshtim me detyrimet që rridhnin nga Karta e OKB-së. Ajo u miratua dhe për herë të parë u bë publike bashkë me materialet nga organizmat ankues, si Amnesty International. Bërja publike e Rezolutës, bëri që edhe vendet e tjera anëtare në KDNJ, që kishin marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë të rrisnin presionin e tyre mbi qeverinë shqiptare duke e paralajmëruar që një situatë e tillë do të ndikonte në cilësinë e marrëdhënieve të ty re me Shqipërinë.
Me ftesë të qeverisë shqiptare, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Havier Peres De Kuelar, vizitoi Tiranën zyrtare më 11-13 maj 1990. Aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë reaguan që kjo vizitë të mos realizohej, për shkak të situatës së rëndë të të drejtave të njeriut në Shqipëri. Në mars 1990, KDNJ miratoi një rezolutë mbi të drejtat e njeriut në Shqipëri. Në këtë rezolutë mbahej shënim që gjetjet e saj, të mbaheshin parasysh gjatë vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm në Tiranë.
Gjatë takimit me udhëheqjen komuniste në Tirane, De Kuelar adresoi rastet e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Shqipëri të evidentuara në rezolutën e KDNJ-së, duke kërkuar një qëndrim të drejtë nga qeveria shqiptare në përputhje me Deklaratën Universale të OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Ai propozoi aderimin e Shqipërisë në Konventën e të Drejtave të Njeriut.
Situata e këtij raporti të Shqipërisë me KDNJ do të ndryshonte me ndryshimet politike në Shqipëri dhe fillimin e demokratizimit të saj. Pas shumë përpjekjeve dhe reformave demokratike të kryera ndër vite, më 21 tetor 2014 Shqipëria u zgjodh anëtare e Këshillit të Drejtave të Njeriut për periudhën 2015-2017 dhe Zëvendës-Presidente e Byrosë së tij për vitin 2015.

English
