Cakaj në Pragë në Forumin Ekonomiko-Mjedisor të OSBE-së 2020 - Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme
Postuar më: 14/09/2020

Cakaj në Pragë në Forumin Ekonomiko-Mjedisor të OSBE-së 2020

Ministri në Detyrë për Evropën Dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj mori pjesë në takimin përfundimtar të Forumit Ekonomiko-Mjedisor të OSBE-së 2020 në Pragë. Ndër të tjera Cakaj theksoi: “Korrupsioni zvogëlon të ardhurat nga taksat, çorienton tregjet, pengon tregtinë dhe investimet dhe thellon pabarazitë. Sa herë që përfitimet private të paligjshme fitojnë kundër së mirës publike, ato dobësojnë strukturën tonë shoqërore. Objektivi ynë është toleranca zero për korrupsionin”,

Forumi dy-ditor u fokusua në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit nëpërmjet inovacionit, rritjes së transparencës dhe digjitalizimit në rajonin e OSBE-së. Forumi mblodhi personalitete të larta dhe ekspertë nga fusha e akademisë, OJF-ve, organizatat ndërkombëtare dhe sektori privat të 57 shteteve  pjesëmarrëse të OSBE-së.

Kapitale të mëdha parash që duhet të shpenzohen për shërbime publike jetike  si:  arsimi, kujdesi shëndetësor, shërbimet sociale dhe infrastruktura përfundojnë në xhepat e të korruptuarve”, u shpreh  Cakaj. “Ndërsa po përballemi me rënien ekonomike për shkak të  pandemisë COVID-19, është detyra jonë morale të  dyfishojmë përpjekjet tona për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin në mënyrë që të garantojmë përdorimin efektiv dhe efikas të fondeve publike në trajtimin e kësaj krize të paprecedent”

Gjatë vitit 2020, OSBE ka adresuar korrupsionin në paralelizëm me mirëqeverisjen, si ana tjetër e medaljes, u shpreh Cakaj.

Ndër të ftuarit e tjerë, Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Çeke, Tomáš Petříček, u shpreh  se korrupsioni prek në një masë më të madhe ose më të vogël të gjitha shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së, duke përfshirë edhe shtetin e tij. “Ne duhet të parandalojmë dhe luftojmë korrupsionin në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të sigurojmë përfshirjen e shoqërisë civile e sektorit privat. Është e nevojshme të forcohen mjetet dhe angazhimet e OSBE-së në Këshillin Ministror në Dhjetor në Tiranë, në mënyrë që të jemi në gjendje të luftojmë këtë plagë në mënyrë më efektive.”, theksoi Petříček.

Në përfundim, nga ana e tij Ministri në Detyrë, Cakaj u shpreh  se pa mirëqeverisje  nuk mund të ketë fitore të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit. “Ne kemi nevojë për qeverisje të mirë për të arritur qëllimet tona të përbashkëta për zhvillim të qëndrueshëm në vitin 2030, në lidhje me rritjen ekonomike, mbrojtjen e mjedisit, transparencën dhe parandalimin e korrupsionit, Lufta kundër korrupsionit është një nga prioritetet kyçe të Kryesisë shqiptare të OSBE”, tha ai.