Deklarata e Përbashkët e Ministrave të Jashtëm mbi situatën në Mianmar



Deklaratë e Ministrave të Jashtëm të 9 vendeve, të Shqipërisë, Australisë, Kanadasë, Zelandës së Re, Norvegjisë, Republikës së Koresë, Zvicrës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, një vit pas grusht shtetit ushtarak në Mianmar:

Më datë 1 shkurt 2021, ushtria mori pushtetin në Myanmar, duke mohuar aspiratat demokratike të popullit të Mianmarit. Një vit më pas, ndikimi shkatërrues mbi popullin e Mianmarit është i qartë. Mbi 14 milionë njerëz janë në nevojë humanitare, ekonomia është në krizë, demokracia është përmbysur dhe konflikti po përhapet në të gjithë vendin. Regjimi ushtarak është përgjegjës për këtë krizë, që ka dëmtuar rëndë paqen dhe stabilitetin në Mianmar dhe në rajon. Ne bëjmë thirrje edhe një herë për ndërprerjen e menjëhershme të dhunës dhe për dialog konstruktiv mes të gjitha palëve, për të zgjidhur krizën në mënyrë paqësore. Ne përsërisim thirrjen tonë ndaj regjimit ushtarak, që t’i japë fund menjëherë Gjendjes së Jashtëzakonshme, të lejojë pa pengesa aksesin humanitar, të lirojë të gjithë personat e ndaluar arbitrarisht, përfshirë të huajt, dhe ta kthejë sa më shpejt vendin drejt proceseve demokratike.
Kur u bë një vit nga grushti i shtetit, ne kujtojmë ata që kanë humbur jetën gjatë vitit të kaluar, duke përfshirë gra, fëmijë, personel humanitar, mbrojtës të drejtave të njeriut dhe protestues paqësorë. Ne dënojmë fuqishëm shkeljet dhe abuzimet e të drejtave të njeriut nga regjimi ushtarak në të gjithë vendin, duke përfshirë ato kundër minoritetit Rohingya dhe pakicave të tjera etnike dhe fetare. Shprehim një shqetësim të madh për raportimet e besueshme të kryera për torturën, dhunën seksuale dhe atë me bazë gjinore. Ne shprehim shqetësim serioz për më shumë se 400,000 njerëz të tjerë që janë larguar nga shtëpitë e tyre, që nga grushti i shtetit. Ne gjithashtu shprehim shqetësim të thellë për krizën e thelluar humanitare në të gjithë vendin dhe i bëjmë thirrje regjimit ushtarak të sigurojë ndërhyrje humanitare të shpejtë, të plotë dhe pa pengesa për popullatën vulnerabël, duke konsideruar dhe nevojat e vaksinimit kundër COVID-19. Ne shprehim shqetësim serioz për numrin e madh të personave të ndaluar në mënyrë arbitrare dhe dënimin e Këshilltares Shtetërore Aung San Suu Kyi si dhe të të burgosurve të tjerë politikë.
Ne i bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të komunitetit ndërkombëtar të mbështesin përpjekjet për të promovuar drejtësinë për popullin e Mianmarit; për të kapur përgjegjësit e shkeljeve dhe abuzimeve me të drejtave të njeriut; për të ndaluar shitjen dhe transferimin e armëve, materialeve, pajisjeve me përdorim të dyfishtë dhe asistencës teknike për ushtrinë dhe përfaqësuesit e saj; dhe të vazhdojnë të mbështesin popullin e Mianmarit, në përmbushjen e nevojave urgjente humanitare.
Ne theksojmë mbështetjen tonë për Konsensusin me Pesë Pikat të ASEAN-it dhe përpjekjet e të dërguarit special të ASEAN-it për të mbështetur një rezolutë paqësore, në interes të popullit të Mianmarit. Ne i bëjmë thirrje regjimit ushtarak që të angazhohet në mënyrë domethënëse me përpjekjet e ASEAN-it për të ndjekur zbatimin e plotë dhe urgjent të Konsensusit të Pesë Pikave, që garanton aksesin e të dërguarit të posaçëm të ASEAN-it, tek të gjitha palët në Mianmar, përfshirë dhe grupet pro-demokratike.
Ne mirëpresim gjithashtu punën e të dërguarit të posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Mianmarin dhe i bëjmë thirrje regjimit ushtarak të angazhohet në mënyrë konstruktive me të.