Misioni i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme është hartimi dhe zbatimi i politikave të jashtme, drejtimi teknik dhe bashkërendimi i procesit të integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, zhvillimi dhe fuqizimi i diplomacisë ekonomike, si dhe mbrojtja e të drejtave të shtetasve shqiptarë dhe komuniteteve shqiptare jashtë vendit.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ushtron veprimtarinë e saj në këto fusha përgjegjësie shtetërore:
a) Harton, përpunon, organizon dhe zbaton politikën e jashtme të shtetit shqiptar;
b) Realizon shprehjen dhe mbrojtjen e interesave të shtetit shqiptar dhe të shqiptarëve në marrëdhëniet ndërkombëtare me shtetet e tjera dhe organizatat ndërkombëtare;
c) Mbështet Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Këshillin e Ministrave dhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë në përcaktimin e qëndrimeve të rëndësishme lidhur me politikën e jashtme;
ç) Mbron të drejtat e shtetasve shqiptarë dhe të komuniteteve shqiptare jashtë vendit, si dhe organizon, harton e zbaton politikën shtetërore në interes të tyre në bashkëpunimin me ministritë përgjegjëse;
d) Nxit dhe ndihmon për zhvillimin e komunikimit e të ndërveprimit të diasporës dhe të shqiptarëve jashtë kufijve me përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë, në shtetet ku ata banojnë;
dh) Promovon dhe ndihmon në rritjen e zhvillimin e vlerave dhe të traditave më të mira shqiptare te bashkëkombësit jashtë kufijve shtetërorë;
e) Promovon interesin ekonomik kombëtar në arenën ndërkombëtare, duke ndërmarrë aktivitete zyrtare diplomatike të fokusuara në rritjen e eksporteve, tërheqjen e investimeve të huaja dhe pjesëmarrjen në punë të organizatave ekonomike ndërkombëtare;
ë) Bashkërendon procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, nëpërmjet përafrimit të legjislacionit dhe hartimit të politikave të integrimit, si dhe propozon projektaktet, që kanë lidhje procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
© Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.