Shqipëria kryeson “Grupin e Bashkëpunimit me Partnerët Aziatikë të OSBE-së” 2021 - Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme
Postuar më: 22/01/2021

Shqipëria kryeson “Grupin e Bashkëpunimit me Partnerët Aziatikë të OSBE-së” 2021

Që prej fillimit të viteve 90’ OSBE gëzon një nivel të shkëlqyeshëm bashkëpunimi me Partnerët Aziatikë (Afganistani, Australia, Japonia, Republika e Koresë dhe Tajlanda), të cilët shfaqin një interes të madh dhe përkushtim ndaj OSBE-së. Gjatë dekadave të kaluara, Partnerët Aziatikë kanë kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në dialogun e OSBE-së për shumë aspekte të ndryshme të sigurisë gjithëpërfshirëse.

Partnerët aziatikë angazhohen aktivisht ne eventet dhe aktivitetet e OSBE-së, përfshirë përfaqësimin përmes niveleve të larta dhe të ekspertëve, si dhe përmes kontributeve financiare të projekteve ekstrabuxhetore të OSBE-së.

Nisur nga nevoja për një kuadër specifik bashkëpunimi, në vitin 2003 u krijua Grupi i Kontaktit për Bashkëpunimin me Partnerët Aziatikë”.

Në Takimin e Këshillit Ministror në Bratislavë, në vitin 2019, u riemërtua në “Grupi i Bashkëpunimit me Partnerët Aziatikë të OSBE-së” (APCG), duke shënuar një fillim të mirë drejt rritjes së njohjes dhe vizibilitetit të nivelit të marrëdhënieve.

Deklarata ministrore për Bashkëpunim e miratuar në Takimin e Këshillit Ministror, në Tiranë në 2020, bën thirrje për hapa të mëtejshëm drejt një angazhimi më substancial, bazuar në dialogun politik dhe bashkëpunimin praktik.

Sipas procedurave të përcaktuara, Shqipëria, si vend Kryesues i OSBE-së vitin paraardhës, është Kryesuesi i APCG për vitin 2021. Në këtë cilësi Shqipëria do të angazhohet maksimalisht për thellimin dhe zgjerimin e dialogut dhe bashkëpunimit, bazuar në interesin dhe shqetësimet e ndërsjella të vendeve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe Partnerëve aziatikë, sikurse janë terrorizmi ndërkombëtar, kërcënimi kibernetik dhe hapësinor, siguria ndërkufitare, shpërndarja e vëzhguesve zgjedhorë, etj. Si forumi kryesor për dialogun e rregullt mes OSBE-së dhe Partnerëve Aziatikë, Grupi për Bashkëpunim me Partnerët Aziatikë të OSBE-së do të angazhohet në avancimin e një shkëmbimi të hapur dhe të drejtpërdrejtë informacioni. Marrëdhëniet e vendosura tashmë të OSBE-së me disa organizata dhe nisma për sigurinë rajonale, ku bëjnë pjesë Partnerët Aziatikë, do të jenë gjithashtu në fokus të aktiviteteve të Kryesisë Shqiptare të APCG-së.