Shqipëria në NATO



Që nga pranimi në MAP më 1999 e deri në anëtarësimin e plotë në NATO më 2009, përpjekjet e vendit tonë për t’u bërë pjesë e Aleancës Atlantike kaluan nëpër etapat e rëndësishme të vlerësimeve politike të bëra nga vendet e NATO-s, në samitet e kësaj të fundit të vitit 2002 në Prage, të vitit 2004 në Stamboll, të vitit 2006 në Riga, duke marrë dhe inkurajimet e duhura nga aleatët dhe duke u ftuar zyrtarisht për anëtarësim në samitin e Bukureshtit më 2008.

Gjatë harkut kohor të lartpërmendur prej një dekade, raportet progresive me Aleancën Atlantike, ndoqën drejtimet kryesore të mëposhtme:

– Raportet institucionale Shqipëri-NATO, të fokusuara kryesisht në përpjekjet e vendit tonë për anëtarësim në NATO, nëpërmjet ndërveprimit aktiv në procesin e Planit të Veprimit për Anëtarësim (MAP) dhe procesit të Planifikimit dhe Vlerësimit të Mbrojtjes (PARP).

– Raportet e natyrës politike Shqipëri-NATO, të bazuara mbi rolin dhe kontributin e Shqipërisë në rajon, me theks të veçantë në përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës dhe mbështetjen e misionit dhe pranisë stabilizuese të Aleancës në rajon.

– Raportet e natyrës politike dhe operacionale mbi rolin dhe kontributin e Shqipërisë, në kuadrin e operacioneve dhe misioneve të NATO-s në Kosovë, Afganistan, Mesdhe etj.

Përpjekjet për anëtarësim u intensifikuan ndjeshëm dy cikleve të fundit të MAP-it gjatë viteve 2007-2008, që rezultuan vendimtare për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO nga  vendi ynë, gjatë së cilave angazhimi aktiv i vendit tonë në proceset e ndërlikuara, dinamike dhe komplementare, MAP dhe PARP, për vetë rëndësinë e tyre në marrjen e ftesës për anëtarësim të vendit në NATO, mori përparësi absolute në lëmin e politikës sonë të jashtme dhe asaj të sigurisë.

Në suazën e ndërveprimit me NATO-n, gjatë këtyre proceseve u intensifikuan veçanërisht aktivitetet e rëndësishme të natyrës politike, mes të cilave spikasin vizitat dhe takimet në selinë e NATO-s të zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar në nivel  Kryeministri, Ministër i Punëve të  Jashtme, Ministër i Mbrojtjes, si dhe shumë takime të tjera të zyrtarëve të dikastereve të ndryshme, deputetëve të Kuvendit, politikanëve, gazetarëve, etj.

Një tjetër drejtim prioritar gjatë periudhës së lartpërmendur ka qenë ndjekja e zhvillimeve ne rajon, ecurisë së misionit të NATO-s KFOR në Kosovë, dhe kryesisht të ecurisë së procesit politik për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës. Në këtë kuadër, vendi ynë ka vazhduar të paraqesë qëndrimet e tij rreth situatës në rajon, veçanërisht lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës, nëpërmjet dialogut konstant me vendet kryesorë të Aleancës.

Shtimi gradual i angazhimit dhe kontributeve të Shqipërisë në operacionet e Aleancës, kryesisht misionin ISAF në Afganistan,  mori gjithashtu gjatë periudhës së lartpërmendur vlerësime të larta nga NATO dhe vendet aleate. Po ashtu, në zbatim të angazhimit politik të vendit tonë për të kontribuar aktivisht në luftën kundër terrorizmit, falë punës së bërë në NATO, u arrit që akti zyrtar i pjesëmarrjes së vendit tonë në operacionin e NATO-s kundër terrorizmit në Mesdhe, “Active Endeaovour”, të nënshkruhej më 24 maj 2007.

Në përfundim të ciklit të nëntë të MAP-it,  vendi ynë dhe Kroacia, u ftuan zyrtarisht në samitin e Bukureshtit, për t’u anëtarësuar në NATO. Në korrik 2008, vendet e NATO-s nënshkruan protokollin shtesë të Traktatit të Atlantikut të Veriut, nëpërmjet së cilit Shqipëria dhe Kroacia, u ftuan që ti bashkoheshin Aleancës. Deri në prill 2009, ky protokoll u ratifikua nga vendet aleate dhe më 2009, në samitin e mbajtur ne Strasburg-Kiel, vendi ynë dhe Kroacia, u bënë anëtare të plotë të NATO-s.

Me marrjen e ftesën për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit, Shqipëria përmbushi një synim strategjik dhe një objektiv parësor të politikës së Jashtme, duke  avancuar ndjeshëm në realizimin e interesave të saj kombëtare. Në themel të kësaj arritjeje madhore, qëndroi klima e favorshme që ekzistonte në vendin tonë, si rezultat i mbështetjes masive të opinionit publik për aspiratën e anëtarësimit, si dhe përpjekjet e vazhdueshme të institucioneve tona në të gjitha fushat: politike, të mbrojtjes, ekonomike, etj.

Marrja e ftesës në Bukuresht u pasua nga një periudhë e takimesh dy palëshe midis ekipeve të ekspertëve të NATO-s dhe ekipeve te institucioneve shqiptare, për të konfirmuar zyrtarisht interesin, vullnetin dhe mundësitë e Shqipërisë për të plotësuar detyrimet dhe angazhimet politike, ligjore dhe ushtarake për anëtarësim. Produkt final i këtyre diskutimeve ishte një kalendar me afate kohore për përmbushjen e këtyre reformave.

Periudha e përgatitjes për anëtarësim shërbeu për intensifikimin e përpjekjeve nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, për të thelluar në të gjitha drejtimet reformën e mbrojtjes, duke përshpejtuar realizimin e prioriteteve sipas standardeve të NATO-s. Kështu, u punua me përparësi për plotësimin e kuadrit të dokumenteve bazë strategjike të rishikuara si Strategjia Ushtarake, Plani Afatgjatë i Zhvillimit të FARSH 2007-2020, Udhëzimi për Planifikimin Strategjik 2008 etj.

Gjithashtu, u përshpejtua puna për përfundimin e një seri marrëveshjesh ligjore përkatëse me NATO-n dhe për implementimin e projekteve konkrete me Aleancën dhe me vendet aleate, në bashkëpunim me vendet e rajonit, duke u orientuar në gjetjen e zgjidhjeve më të përshtatshme dhe më efciente.

Në kuadër të rajonit tonë, anëtarësimi i vendit tonë në NATO, ka rritur jo vetëm prestigjin tonë në rajon, por edhe mundësitë reale për të kontribuar për sigurinë dhe stabilitetin.

Në përputhje me realitetin e ri, është punuar intensivisht me të gjithë aktorët e përfshirë, kryesisht në suazën e Kartës së Adriatikut, për të bërë të mundur përfshirjen edhe të Kosovës, si vëzhguese e iniciativës së Kartës së Adriatikut, objektiv ky i arritur më 2010.

Gjithashtu, në kontekstin rajonal,  vendi ynë ka mbështetur në NATO aspiratave integruese të Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës, veçanërisht përfshirjen e tyre në programin e Planit të Veprimit për Anëtarësim (MAP), së cilit ata iu bashkuan përkatësisht në muajin dhjetor 2009 dhe prill 2010. Gjithashtu janë mbështetur edhe aspiratat integruese të Maqedonisë, për një anëtarësim sa më shpejt të jetë e mundur në Aleancë, bazuar në vendimet përkatëse të marra gjatë Samitit të Bukureshtit, Strasburg/Kehl dhe Lisbonës.