THIRRJE PËR APLIKIME NGA ORGANIZATA NDËRKOMBËTARE E FRANKOFONISË (ONF/OIF) DHËNIE TRAJNIMI – KRIJIMI I PROJEKTEVE QË PËRFSHIJNË BARAZINË MES BURRAVE DHE GRAVE RREGULLORE 2021 - Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme
Postuar më: 08/02/2022

THIRRJE PËR APLIKIME NGA ORGANIZATA NDËRKOMBËTARE E FRANKOFONISË (ONF/OIF) DHËNIE TRAJNIMI – KRIJIMI I PROJEKTEVE QË PËRFSHIJNË BARAZINË MES BURRAVE DHE GRAVE RREGULLORE 2021

Organizatat e shoqërisë civile frengjisht-folëse kanë njohuri të thella të lëmisë dhe një fuqi të jashtëzakonshme mobilizimi dhe shndërrimi që iu mundëson kryerjen e veprimeve me ndikim. Megjithatë, disa shoqata nuk janë kurdoherë të pajisura me aftësi për të hartuar dhe ngritur një projekt. Kjo dobësi pengon qasjen e organizatave të shoqërisë civile në financime dhe, rrjedhimisht, kufizon mjetet përkatëse të veprimit. Për më tepër, marrja parasysh e çështjeve që lidhen me barazinë midis grave dhe burrave mbetet e papërfillshme, edhe pse kjo kushtëzon shumë suksesin dhe qëndrueshmërinë e një projekti zhvillimor.

Duke marrë parasysh përparësitë dhe objektivat e ONF/OIF, nga njëra anë, për të mbështetur ngritjen e shoqërisë civile dhe, nga ana tjetër, për të nxitur barazinë midis grave dhe burrave, ONF/OIF dëshiron të angazhohet në veprime konkrete për të ndërtuar aftësimin e shoqërisë civile frëngjisht-folëse për krijimin e projekteve që integrojnë çështjet e barazisë midis grave dhe burrave.

Në këtë drejtim, ONF/OIF do të organizojë, në vitin 2022, dy (02) sesione trajnimi me kohëzgjatje nga pesë (05) ditë secila për “hartimin e projektit që integron barazinë midis grave dhe burrave”, për gjithsej 30 organizata të shoqërisë civile, 15 prej të cilave janë të akredituara në Konferencën e ONJQ[1]-ve të Frankofonisë (COING).

I. Objektivat e thirrjes për aplikim

Kjo thirrje për aplikime synon të përzgjedhë 30 përfaqësues/e të ONJQ-ve, përfshirë 15 të akredituar/a në Konferencën e OJQ-ve të Frankofonisë, në mënyrë që të përfitojnë një nga dy (dy) sesionet e trajnimit 5-ditor që ONF/OIF do të organizojë në 2022.

Objektivi i përgjithshëm i çdo sesioni trajnimi është të forcojë aftësimin për veprim në fushën e organizatave të shoqërisë civile, përfituese, duke iu ofruar atyre aftësi për ngritjen e projekteve që integrojnë barazinë midis grave dhe burrave. Më konkretisht, bëhet fjalë për nxitjen e përvetësimit dhe zotërimit, nga organizatat, të koncepteve të projekteve zhvillimore dhe të qasjes ndaj barazisë dhe zhvillimit gjinor, si edhe forcimin e aftësimit përkatës në hartimin dhe ngritjen e projekteve, integrimin e çështjeve të barazisë gjinore, në të gjitha nivelet.

Trajnimi synon t’iu sigurojë pjesëmarrësve një perceptim dhe metodologji të përbashkët për hartimin e një projekti, duke siguruar që çështjet e barazisë gjinore të merren parasysh në të gjitha fazat. Pas këtij trajnimi, pjesëmarrësit do të jenë në gjendje të:

– Të kuptojnë lidhjen ndërmjet barazisë gjinore dhe efektshmërisë së projektit;

– Të kuptojnë rëndësinë e projekteve të planifikimit strategjik nga perspektiva e administrimit të bazuar në rezultate dhe fuqizimit të grave;

– Kryejnë një analize të nevojave të ndjeshme gjinore;

– Zotërojnë mjetet e projektit me ndjeshmëri gjinore (struktura e ndarjes së projektit, korniza logjike, matrica e llogaridhënies, zinxhiri i rezultateve, buxheti);

– Matja e rezultateve dhe treguesve të ndjeshëm gjinor.

Këto trajnime, të mbështetura nga ONF/OIF, do të mbahen nga data 28 mars deri më 29 prill 2022, një ditë në javë. Megjithatë, ky trajnim do të kërkojë punë të palodhur prej 2 deri në 3 orë në ditë, nga e hëna në të premte, gjatë periudhës 5-javore. Kjo punë e përditshme mund të marrë format e mëposhtme: pjesëmarrje në seancat e ndërhyrjes akademike, nga një mësues i lidhur me videoconference; veprimtari në grup, diskutime mbi forumin, sesion ri-kthimi dhe përmbledhje.

II. Kriteret e pranueshmërisë së aplikimit

Për t’u kualifikuar, organizata aplikuese duhet:

Të jetë person juridik, sipas së drejtës private, në formën e një shoqate, federate, konfederate, sindikate, rrjeti ose entiteti tjetër të zyrtarizuar që bashkon vullnetarisht anëtarë, persona fizikë, ose juridikë dhe i krijuar në bazë të një akti themelues të së drejtës private kombëtare, me objekt social, funksionim, financim dhe qeverisje statutore në përputhje me ligjin. Ky element do të verifikohet duke përdorur formularin e regjistrimit;
Të jetë i regjistruar ligjërisht pranë autoriteteve të një prej 54 shteteve dhe qeverive që janë anëtarë me të drejta të plota të ONF/OIF. Ky element do të verifikohet duke përdorur formularin e regjistrimit;
Të ketë vepruar të paktën prej dy vjet ekzistencë ligjore. Ky element do të verifikohet duke përdorur formularin e regjistrimit;
Të veprojë në një nga katër misionet kryesore të ONF/OIF: 1) Të nxisë gjuhën frënge dhe larminë kulturore dhe gjuhësore; 2) Të nxisë paqen, demokracinë dhe të drejtat e njeriut; 3) Të mbështesë arsimin, trajnimin, arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor; 4) Të zhvillojë bashkëpunimin ekonomik, në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm;
Të ushtrojë veprimtaritë në të paktën një nga 54 shtetet dhe qeveritë që janë anëtarë të plotë të ONF/OIF. Ky element do të verifikohet nëpërmjet raporteve të veprimtarisë;
Të dëshmojë qeverisje funksionale. Ky element do të verifikohet nëpërmjet veprimtarisë dhe raporteve financiare.
Shqyrtimi i përshtatshmërisë do të kryhet nga ekipi i shoqërisë civile i Departamentit të Programimit dhe Vlerësimit të ONF/OIF. Do të bëhet fjalë për të verifikuar nëse aplikimet e dorëzuara plotësojnë të gjitha kriteret e përmendura më sipër. Kandidaturat e pranueshme do të përzgjidhen paskëtaj dhe do të marrin njoftim.

III. Kriteret e Përzgjedhjes së Aplikimit

Organizatat që kualifikohen të përshtatshme për trajnim do të përzgjidhen sipas kritereve të mëposhtme:

A. Organizata është me madhësi dhe burime modeste (4 pikë);

B. Organizata identifikon dhe justifikon ekzistencën e nevojave të saj për ngritjen e aftësive në fushën e krijimit të projekteve që integrojnë barazinë midis grave dhe burrave (5 pikë);

C. Organizata dëshmon motivim të madh dhe interes të theksuar për ta ndjekur këtë trajnim (5 pikë);

D. Profili i propozuar, brenda strukturës, për të ndjekur trajnimin, është i rëndësishëm për trajnimin, pozicionin, misionet dhe veprimtaritë përkatëse, brenda strukturës (2 pikë);

E. Profili i propozuar ka kapacitete të mjaftueshme përcjellëse për të trajnuar dhe shpërndarë mësimet e këtij formimi/trajnimi pranë anëtarëve të tjerë të structures përkatëse dhe/ose pranë organizatave të tjera të shoqërisë civile frëngjisht-folëse (2 pikë).

Do të jepen dy pikë bonus nëse organizata është e regjistruar dhe/ose zbaton veprimtaritë e saj në një nga vendet përarësore për veprimin e frankofonisë, përkatësisht në Liban dhe Haiti.

Inkurajohen të aplikojnë kandidaturat femra.

Përzgjedhja e kandidatëve të pranueshëm do të realizohet bashkërisht nga ekipi i shoqërisë civile i Departamentit të Programimit dhe Vlerësimit dhe nga Njësia për Barazi Gjinore. Çdo aplikim do të analizohet në bazë të rrjetit të pikëve të detajuara më sipër dhe do të marrë një pikë të përbërë nga mesatarja e dy pikëve të dhëna nga stafi i secilës prej drejtorive / njësive. Do të bëhet një renditje e 40 aplikimeve që kanë marrë pikën më të lartë. Midis tyre, përfundimisht do të përzgjidhen 30 aplikime, duke siguruar nga njëra anë që 15 prej tyre të dorëzohen nga organizata të akredituara pranë ONK/OIF dhe, nga ana tjetër, që të sigurohet sa më shumë e mundur përfaqësimi gjeografik dhe tematik.

IV. Kalendari i thirrjes për aplikime

Nisja e thirrjes për aplikime: 20 janar 2022

Data e mbylljes së thirrjes për aplikime: 21 shkurt 2022

Mbledhja e komisionit përzgjedhës: 4 mars 2022

Shpallja e rezultateve: 9 Mars 2022

Trajnimi mbahet: Java ndërmjet 28 Mars – Java e 29 Prill 2022 (5 javë)

Ndihma për përfituesin: Maj 2022

V. Si të aplikoni?

Për të dorëzuar aplikacionin tuaj, duhet të dërgoni, përpara datës 21 shkurt 2022 (ora 23:59, sipas orës vendore në Paris), një dosje të plotë, të përbërë nga dokumentet e mëposhtme:

1. Fletën e regjistrimit të organizatës;

2. Dy raportet e fundit financiare, të publikuara, dhe të veprimtarisë që mundësojnë vlerësimin e veprimtarisë së organizatës;

3. Një letër-kërkesë individuale aplikimi nga kandidati për trajnim;

4. Dy – tre shembuj operacionalë të projekteve që janë realizuar ose planifikuar nga organizata, duke specifikuar përfshirjen dhe rolin e kandidatit.

Aplikimi duhet të dërgohet me e-postë në e-adresën: formationosc@francophonie.org. Do të dërgohet një konfirmim marrjeje. Tërhiqet vëmendje për faktin se e-postat më të mëdha se 8MB nuk mund të ngarkohen nga serverat. Megjithatë, e-postës së aplikacionit mund t’i shtohet një lidhje “ëetransfer”.

Të përzgjedhurit marrin përsipër të marrin pjesë në të gjithë trajnimin nga data 28 mars – 29 prill 2022 dhe të respektojnë orarin e fillimit dhe përfundimit të trajnimit.

VI. Mbështetja nga ONF / OIF

Trajnimi financohet tërësisht nga ONF/OIF. Gjithashtu, do të jetë e mundur të sigurohet, rast pas rasti, mbështetje për lidhjen e internetit.

[1] Organizata Ndërkombëtare Jo-Qeveritare